Cakolli: Krahasimi me Rumaninë është i pabazë – Kosova s’ka as ligj, as nevojë për qendra alternative të votimit jashtë vendit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj krahasimeve të bëra së fundi mes praktikave të votimit të diasporës në Rumani dhe atyre në Kosovë duke theksuar se situatat janë të pakrahasueshme si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë praktik.

Cakolli ka theksuar se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian mundësojnë forma të ndryshme të votimit nga jashtë vendit, por secili shtet e ka të përcaktuar qartë në ligj mënyrën e organizimit, procedurat dhe kushtet. “Nuk ka improvizime dhe nuk hapet asnjë qendër pa bazë ligjore,” u shpreh ai.

Duke iu referuar Rumanisë – rast i përmendur shpesh në debatet e fundit – Cakolli theksoi se ky vend ka një bazë të qartë ligjore që përcakton hapjen e qendrave shtesë të votimit jashtë misioneve diplomatike. Sipas tij, Ligji rumun 208/2015, neni 23, specifikon hollësisht se kush jep pëlqimin, cilat institucione vendosin, cilat kushte duhet të plotësohen dhe në cilat raste mund të zgjerohet rrjeti i votimit.

Ai shtoi se Rumania ka ndërmarrë rregullime të tilla vetëm pasi diaspora u përball me probleme reale në zgjedhje të kaluara, ku mijëra qytetarë nuk arritën të votojnë për shkak të radhëve të gjata dhe kapaciteteve të pamjaftueshme. “Nevoja ka qenë faktike, ligji ka qenë specifik dhe procedurat të detajuara,” tha Cakolli duke rikujtuar se shteti rumun ka miratuar edhe votimin disa-ditor për t’u siguruar që diaspora mos të mbetet pa votuar.

Në anën tjetër, Cakolli thekson se në Kosovë nuk ekziston as rregullimi ligjor për hapjen e qendrave alternative jashtë vendit, e as nevoja praktike për to. Ai kujtoi se ligji aktual e kufizon votimin fizik jashtë vendit vetëm në hapësirat e përfaqësive diplomatike, ndërsa procesi zgjedhor i 9 shkurtit dëshmoi se kapacitetet ekzistuese nuk u afruan asnjëherë drejt mbingarkesës.

“Prandaj krahasimi me Rumaninë nuk qëndron. Ata kanë bazë ligjore dhe arsye praktike. Ne nuk kemi as njërën, as tjetrën,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP