Veliu reagon pas debatit për listën e LDK-së: Respekti për bazën është detyrim moral, jo favor politik
Ish kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu ka reaguar pas debatit të ditëve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me përfshirjen e tij në listën zgjedhore të 28 dhjetorit. Përmes një deklarate drejtuar anëtarëve, simpatizantëve dhe strukturave të LDK-së, ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë ngritur zërin për kontributin e tij dhe për rëndësinë e meritokracisë në vendimmarrjet e partisë.
Veliu ka theksuar se për disa zgjedhje me radhë ka ekzistuar pritja që ai të ishte pjesë e listës, por vendimet e padrejta të së kaluarës nuk e kanë lëkundur përkushtimin e tij ndaj LDK-së, qytetarëve dhe vlerave rugoviste. Ai nënvizoi se përfshirja në listë nuk është privilegj personal, por përgjegjësi ndaj historisë dhe qytetarëve që kanë besuar në LDK për më shumë se tri dekada.
Duke folur për debatin mbi përfaqësimin, Veliu kërkoi që partia të ruajë kohezionin e brendshëm dhe të mos lërë jashtë ata që kanë themeluar dhe mbajtur gjallë LDK-në për më shumë se 30 vjet, në kohë të vështira e me sakrifica. Sipas tij, dera e partisë nuk duhet t’u hapet më shumë atyre që nuk kanë qenë pjesë e saj, nëse kjo nënkupton zbehjen e kontributit të themeluesve dhe aktivistëve afatgjatë.
“Respekti për bazën, për themeluesit dhe kontribuuesit e LDK-së nuk është vetëm parim – është detyrim moral dhe institucional”, tha Veliu duke shtuar se mbetet i përkushtuar ndaj vlerave të partisë dhe gati të japë kontributin e tij kudo që kërkohet.
Ai e mbylli reagimin me një mesazh mirënjohjeje për mbështetësit dhe një urim për LDK-në, Rugovën dhe Kosovën. /Kosova.info/
