Cakolli: Diaspora po përdoret si mjet politik, jo si çështje e të drejtës së votës

Eksperti i KDI-së, Eugen Cakolli, ka reaguar ndaj narrativave të fundit politike rreth diasporës duke theksuar se një pjesë e skenës politike po mundohet të krijojë përshtypjen se ekziston një front “kundër diasporës”, me qëllim që një subjekt i vetëm të paraqitet si mbrojtës i votuesve jashtë vendit.

Sipas tij, tensioni i krijuar javëve të fundit nuk është produkt i të gjitha partive politike, por dëshmi se vetëm njëra anë po e trajton çështjen e diasporës në mënyrë strategjike për përfitime politike. “Asnjë subjekt tjetër nuk ka ushtruar retorikë kundër pjesëmarrjes së diasporës,” thekson Cakolli duke shtuar se LVV po përpiqet të ndërtojë një vijë ndarëse artificiale pro dhe kundër diasporës.

Ai rikujton se e drejta e diasporës për të votuar nuk është mohuar nga askush dhe nuk ka qenë në asnjë moment e rrezikuar. Debatet e fundit, sipas tij, lidhen kryesisht me mënyrën se si janë marrë disa vendime institucionale, të cilat krijojnë më shumë perceptim politik sesa mbështetje në ligj.

Cakolli veçon vendimin e KQZ-së për hapjen e qendrave të reja të votimit jashtë përfaqësive diplomatike duke theksuar se kjo bie ndesh me legjislacionin që parasheh qartë se votimi fizik jashtë vendit mund të organizohet vetëm në misionet diplomatike të Kosovës. Ai përmend se disa prej qendrave të reja kanë edhe pengesa të tjera ligjore e praktike, si rasti në New York ku hapësira e propozuar përdoret për rite fetare, apo qendra të tjera që funksionojnë si restaurante ku shërbehet alkool.

Ai vlerëson se nuk ka pasur as nevojë praktike për qendra shtesë, meqë shumica e përfaqësive diplomatike në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishin arritur kapacitetin maksimal të votuesve. “Në këto rrethana, hapja e qendrave alternative nuk ka të bëjë me lehtësimin e procesit, por me krijimin e përshtypjes politike,” shtoi Cakolli.

Në thelb, ai thekson se diaspora po trajtohet si temë politike që shërben për mobilizim elektoral, e jo si pjesë integrale e procesit zgjedhor. Cakolli apelon që mbrojtja e votës së diasporës të bëhet përmes procedurave të qarta, ligjore dhe të qëndrueshme duke paralajmëruar se çdo improvizim politik krijon konfuzion dhe mundësi për kontestime.

“Diaspora nuk duhet të kufizohet, por as të keqpërdoret,” përfundon ai duke kërkuar qasje parimore e jo kalkulime afatshkurtra politike. /Kosova.info/


Go to TOP