Abdixhiku: Prishtina po mbahet peng për inat politik

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka ashpërsuar tonin ndaj Qeverisë pas bllokimit të buxhetit të Prishtinës. Ai thotë se pasi mori fund bllokada 10-mujore e shtetit, pushteti ka zgjedhur të bllokojë Kryeqytetin, sepse “nuk dinë më shumë”, shkruan Kosova.info.

Abdixhiku përshkruan një situatë që, sipas tij, po e dëmton drejtpërdrejt jetën e njerëzve. Prishtina është pa transport publik. Punëtorët janë në protestë e pa paga. Qytetarët presin nëpër stacione. Ai thotë se ky është vetëm fillimi, sepse bllokimi rrezikon edhe shkollat, qendrat mjekësore dhe shërbimet bazike.

Sipas tij, pushteti po ushtron hakmarrje politike ndaj Kryeqytetit duke fajësuar të tjerët për një problem që e ka krijuar vet. Ai thekson se kjo nuk ka të bëjë as me procedura, as me ligj, por me mungesë vullneti dhe me arrogancë.

Abdixhiku kujton se Prishtina nuk po kërkon para nga Qeveria, por paratë e veta. Ai thotë se rreth 35 milionë euro nga taksat komunale dhe grantet e Kryeqytetit janë bllokuar, duke e quajtur këtë “plaçkitje për hakmarrje politike”.

Kreu i LDK-së kritikon edhe arsyetimin për mungesë votash në Kuvend, duke kujtuar se qeveria ndau 100 euro për studentë pa pasur nevojë për votim. Ndaj, sipas tij, procedura po përdoret vetëm si mbulesë politike kur bëhet fjalë për paratë e Prishtinës.

Ai paralajmëron se qyteti ka folur një herë dhe do të flasë sërish. Ndërsa e quan “pengmarrjen e Kryeqytetit” aktin më të rëndë të Qeverisë Kurti, duke thënë se ky pushtet ka humbur kontaktin me qytetarët dhe me detyrimet e tij.

Mesazhi i tij përmbyllës është i drejtpërdrejtë: Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër./Kosova.info/

Go to TOP