Fetoshi: Serbia sot, version i modifikuar i asaj të Millosheviqit
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, tha se Serbia sot është version i modifikuar i asaj të Millosheviqit, me politikën e rafinuar të “krimit e viktimizimit”, që drejtohet nga permutacioni i tij, Aleksandër Vuçiq.
Fetoshi në një postim në Facebook, shkruan se atë që me lehtësi mund ta dinë të gjithë për Ministrin e Informatave të Millosheviqit (1998-2000), e vërtetoi së fundmi edhe “The Telegraph” me raportimin për përfshirjen e tij në skemën mizore të “sniper-tourism” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992-1996).
Pas dokumentarit slloven “Sarajevo safari” (2022), gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiç deklaroi se ka prova bindëse për përfshirjen e presidentin serb dhe e ka paditur atë në Zyrën e Prokurorit Publik të Milanos. Zgjatimi i politikës së krimit dhe gjenocidit në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, i kamufluar sot me kostum, Twitter dhe taktika mashtruese si “faktor stabiliteti”, është versioni “Millosheviq 2.0”. Fakti që Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe nuk e ka dënuar gjenocidin, dëshmon për qëllimet e njëjta, por me një strukturë më të sofistikuar”, shkruan Fetoshi.
Ai shton se shtetet me trashëgimi të ngjashme, e kanë pranuar terapinë e “denazifikimit” si çlirim nga mallkimi i historisë, kurse Serbia ka vazhduar ta bëjë të kundërtën, me ripërshtatje të politikës së krimit dhe riambalazhim të produkteve të saj në epokën e luftës hibride.
“Një “anomali europiane” që pretendon integrimin dhe paqen, por në të njëjtën kohë, thellon rreshtimin me Rusinë dhe minon demokracinë. Pavarësisht sa vonë, hetimet për “gjuetinë e Sarajevës” e gjetën Vuçiqin aty dhe kjo duhet të kthehet në rizgjim për të vërtetën e një strukture politike që nuk është çmontuar kurrë. Për 30 vjet, Serbia pa transformim moral, politik dhe institucional, duke i trajtuar kriminelët si “heronj” dhe duke përpunuar “mohimin e viktimizimin” si strategji mashtruese për qëllimet hegjemoniste. Për 30 vjet, një strukturë që ka ndryshuar vetëm formë: aparati që dikur organizonte snajperë, sot organizon sulme hibride”, shkruan ai.
Sipas Fetoshit, makineria e luftës së Vuçiqit, me aparatin shtetëror, propagandën, shërbimet sekrete, terroristët dhe rrjetet kriminale nën “një komandë”, është zgjatim i përshtatur i makinerisë së luftës të Millosheviqit, me aparatin shtetëror, propagandën, shërbimet sekrete, paramilitarët dhe rrjetet kriminale nën “një komandë”.
“Ndryshimi i vetëm: snajperët janë zëvendësuar me “struktura ilegale” e “parti proxy”, propaganda e luftës me dezinformim digjital dhe paramilitarët me “grupe terroriste”. Prandaj, rreziku mbetet i njëjtë, dhe jo vetëm Kosova por as Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i sigurt derisa Serbia të “tolerohet” me Millosheviqin 2.0”, shkruan Fetoshi në Facebook. /Kosova.info/
