Besimi im politik është në LDK – Koha për bashkim të opozitës dhe afrimin e NISMËS
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Berisha, ka reaguar pas shpalljes së zgjedhjeve të reja duke theksuar se është moment vendimtar për riorganizim dhe bashkim të spektrit opozitar. Ai tha se besimi i tij politik mbetet i patundur në LDK, të cilën e sheh si garanci për një Republikë të plotë, të paprekshme dhe të orientuar drejt vlerave evropiane.
Berisha nënvizoi se LDK-ja tashmë duhet ta marrë rolin udhëheqës në bashkimin e të gjithë qytetarëve opozitarë duke theksuar se nuk ka më kohë për humbur apo për t’u ndalur në “filozofema politike”, siç u shpreh ai. Sipas Berishës, Kosovës i nevojitet një projekt qytetar dhe shtetformues që LDK-ja mund ta garantojë.
Ai ka bërë thirrje që LDK t’i afrojë të gjithë vullnetmirët që besojnë në Republikën qytetare duke përfshirë edhe Nismën Socialdemokrate. “LDK duhet me thirrë dhe afrue NISMAn!”, theksoi Berisha duke e parë këtë si një hap drejt forcimit të frontit opozitar në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. /Kosova.info/
