Hamza: Dëshmia e Wesley Clark rrëzoi narrativat e rreme – Liderët tanë së shpejti kthehen krenarë në Kosovë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar pas paraqitjes së gjeneralit amerikan Wesley Clark si dëshmitari i fundit në procesin gjyqësor të Dhomave të Specializuara duke e cilësuar dëshminë e tij si një pikë kthese dhe një mbyllje të fuqishme të një procesi që ai e quan të padrejtë.
Sipas Hamzës, dëshmia e Clark riktheu fokusin tek faktet historike dhe tek parimet themelore duke theksuar të drejtën e patjetërsueshme të popujve për liri. Ai deklaroi se me paraqitjen e tij, “narrativat e rreme ranë” dhe u bë e qartë se historia nuk mund të rishkruhet.
Hamza u shpreh i bindur se liderët e luftës dhe paqes, të cilët aktualisht përballen me procese gjyqësore në Hagë, do të kthehen së shpejti në Kosovë “krenarë, mes familjeve dhe popullit të tyre”. Ai theksoi se ky moment përbën një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së drejtësisë dhe nderimit të sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Kosova.info/
