Kurti takon ministrin gjerman Wadephul: Kosova meriton statusin e vendit kandidat për BE
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, të cilit i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite.
Kryeministri Kurti theksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një partnere e palëkundur e Kosovës duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta demokratike dhe në vizionin për një Evropë të sigurt e të qëndrueshme. Ai theksoi se gjatë mandatit qeverisës Kosova ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike, me asnjë vit nën 4% të BPV-së, ka përmirësuar sundimin e ligjit dhe ka avancuar në luftën kundër korrupsionit – progres i reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare.
Duke folur për orientimin euroatlantik të vendit, Kurti kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai ritheksoi se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe se Komisioni Evropian duhet të dorëzojë sa më parë pyetësorin për procesin e anëtarësimit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe roli i diasporës kosovare në Gjermani, e cila sipas kryeministrit paraqet një potencial të madh për forcimin e bashkëpunimit ekonomik përmes investimeve dhe lidhjeve të ndërsjella ndërmjet dy popujve.
Në takim u trajtuan edhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të saj. Kurti theksoi se Serbia vazhdon të mos e ekstradojë Millan Radoiçiqin, udhëheqësin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë duke kujtuar se më shumë se dy vjet pas vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, përgjegjësit ende shëtisin të lirë në Serbi.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Wadephul për vizitën, mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe kontributin e trupave gjermane në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. /Kosova.info/
