AKB: ZRRE dhe Qeveria dështuan në energji – Gjykata Supreme korrigjoi gabimet e tyre

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshëm Udhëzuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë. Sipas AKB-së, ky vendim dëshmon qartë dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës në menaxhimin e sektorit energjetik.

“Gjykata Supreme është detyruar t’i korrigjojë gabimet e tyre,” deklaroi AKB duke theksuar se rregullatori ka vepruar për vite të tëra me akte nënligjore të paqëndrueshme, të hartuara jashtë standardeve evropiane dhe pa analiza të ndikimit ekonomik. Kjo, sipas tyre, e ka futur tregun e energjisë në kaos dhe ka cenuar rëndë të drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve.

AKB thekson se ZRRE ka humbur funksionin e saj kryesor – mbrojtjen e interesit publik. Në vend të rregullimit profesional, ka krijuar pasiguri juridike, përplasje me legjislacionin dhe mjegullim të kritereve për kalimin në tregun e lirë. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, rikujtoi se organizata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për këto praktika, por është injoruar nga rregullatori dhe qeveria, të cilat – sipas tij – kanë marrë vendime politike dhe jo ekonomike.

Përgjegjësinë e mban edhe Qeveria e Kosovës, tha Shahini, pasi lejoi zbatimin e akteve të paligjshme dhe dështoi në mbikëqyrjen profesionale të sektorit. Sipas AKB-së, kjo qasje e rrezikshme dëmton stabilitetin energjetik të vendit dhe ul kredibilitetin e institucioneve.

Në fund, AKB kërkon përgjegjësi të menjëhershme, rishikim të plotë të politikave energjetike dhe përfshirje të detyrueshme të komunitetit të biznesit në të gjitha proceset rregullatore. “Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht me institucione që gabojnë në dokumentet themelore ligjore dhe që më pas korrigjohen nga gjykatat,” përfundoi Shahini. /Kosova.info/

Go to TOP