Debati për votat e diasporës: Nga akuzat për diskriminim te rikthimi i mbështetjes për LDK-në
Vazhdon polemika për rolin e mërgatës në zgjedhjet lokale, ndërsa analistët ngrenë shqetësime për mosdërgimin e fletëvotimeve dhe riorganizimin e subjekteve politike në diasporë
Zeqa: Dyshime për diskriminim dhe seleksionim të votës së mërgatës
Në një prononcim për Kosova.info, publicisti dhe analisti Florim Zeqa ka ngritur shqetësime serioze mbi procesin e votimit me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Sipas tij, pjesëmarrja e ulët e diasporës – vetëm 46 mijë aplikime të pranuara nga qindra mijëra votues të regjistruar – është pasojë direkte e mosdërgimit të zarfeve me fletëvotime nga KQZ.
Zeqa thotë se mbi gjysma e mërgimtarëve kanë mbetur jashtë procesit zgjedhor: “Se a ishte ky seleksionim apo diskriminim i qëllimshëm i mërgimtarëve, mbetet të zbardhet nga organet përkatëse.”
Ai e cilëson mosdërgimin e fletëvotimeve si shkelje të rëndë ligjore, madje të ndikuar politikisht, duke theksuar se vota e diasporës është keqtrajtuar për vite me radhë. Zeqa përmend edhe faktin se KQZ ka pranuar mbi 12 mijë pako votash për balotazh, nga të cilat 3.086 janë refuzuar për mungesë dëftese regjistrimi, ndërsa mijëra aplikues me dokumente të rregullta – përfshirë edhe vetë atë – nuk kanë marrë fare fletëvotimet.
Sipas tij, pas këtyre zgjedhjeve Kosova është bërë më e fragmentuar politikisht, dhe vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të ofrojnë një pasqyrë reale të fuqisë së subjekteve politike.
Krasniqi: Diaspora po i rikthehet LDK-së – jo për politikë, por për stabilitet
Analistja Naza Krasniqi në një prononcim për Kosova.info ka vënë theksin te roli historik i diasporës në mbijetesën dhe shtetformimin e Kosovës, duke theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë themeli i organizimit të mërgatës në vitet ’90.
Ajo kujton se degët e LDK-së në diasporë ishin themeluar për të mbledhur fonde për arsimin, rezistencën dhe organizimin e luftës çlirimtare – e jo për interesa të ngushta politike.
Sipas Krasniqit, pas çlirimit, LDK vendosi që degët e diasporës të depolitizoheshin, por kjo hapësirë u shfrytëzua nga partitë tjera, veçanërisht VV, e cila sipas saj e instrumentalizoi mërgatën për përfitime elektorale.
Ajo thekson se nga viti 2021, LDK nisi riorganizimin e strukturave të saj të diasporës për t’i mbrojtur mërgimtarët nga keqpërdorimi politik: “Vota e diasporës është e shenjtë, ashtu siç është i shenjtë edhe kontributi i saj për Kosovën.”
Sipas saj, zgjedhjet e 9 shkurtit, 12 tetorit dhe 9 nëntorit treguan se diaspora po i rikthehet LDK-së me një mbështetje të qetë, të qëndrueshme dhe afatgjatë, duke preferuar stabilitetin dhe institucionet serioze. /Kosova.info/
