Shoqatat e dala nga lufta thirrje për protestë në Strasburg: Procesi në Hagë është i padrejtë dhe politik
Këshilli Koordinues i Shoqatave të dala nga Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar ka bërë thirrje publike për protestë më 16 nëntor 2025 në Strasburg, kundër, siç e quajnë ata, “procesit të padrejtë dhe politik” që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në komunikatën e publikuar më 13 nëntor 2025 në Prishtinë, Këshilli shprehu shqetësim të thellë dhe indinjatë të drejtë për trajtimin që po u bëhet ish-udhëheqësve dhe luftëtarëve të lirisë duke e cilësuar Gjykatën Speciale si “të njëanshme, selektive dhe të shndërruar në proces politik ndaj vetë Luftës Çlirimtare”.
Sipas tyre, në vend që të ndëshkojë krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia pushtuese, mekanizmi i krijuar për Kosovën po merret vetëm me ish-pjesëtarë të UÇK-së duke cenuar drejtësinë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Shoqatat rikujtojnë se UÇK-ja ishte ndërmarrja më e madhe kombëtare për liri, e mbështetur nga Shqipëria, NATO dhe aleatët ndërkombëtarë. Ata theksojnë se lufta e UÇK-së nuk ishte vetëm çlirim territorialisht, por edhe përpjekje për liri, dinjitet dhe integrim të shqiptarëve në familjen evropiane.
Këshilli e quan raportin e Dik Martit për “trafikim organesh” një dokument të rremë dhe të fabrikuar, mbi të cilin padrejtësisht është ngritur një proces i gjatë, i cili tashmë ka mbi pesë vjet që zhvillohet ndaj ish-luftëtarëve të lirisë. Sipas komunikatës, ky proces ka dëmtuar rëndë besimin e shqiptarëve në drejtësinë ndërkombëtare.
Shoqatat rikujtojnë kontributin historik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku bënin pjesë shumë prej të akuzuarve duke theksuar se synimi i tyre ishte çlirimi kombëtar, emancipimi shoqëror dhe orientimi demokratik i vendit.
“Kushdo që beson në lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar ka detyrë kombëtare të mbrojë vlerat e UÇK-së”, thuhet në kumtesë, ku UÇK-ja përshkruhet si pasuri historike dhe morale mbarëkombëtare, që bashkon shqiptarët pa dallime politike, fetare e krahinore.
Këshilli kërkon shfuqizimin e Rezolutës që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale dhe rishikim të plotë të gjithë procesit politik e procedural që solli themelimin e saj.
Në fund të deklaratës theksohet: “Lufta Çlirimtare ishte, është dhe do të mbetet faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare. Ne kërkojmë drejtësi të vërtetë, jo drejtësi selektive.”
Po ashtu, Këshilli u shpreh mirënjohës për mërgatën shqiptare, e cila mbështeti UÇK-në në vitet e luftës dhe vazhdon të jetë krah i fuqishëm i zhvillimit të atdheut.
“Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftëtarëve të lirisë!”. /Kosova.info/
