Kraki reagon pas incidentit në “Pressing”: Kërkon ndjekje penale deri në fund ndaj Ollurit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka publikuar një reagim të ashpër pas incidentit të ndodhur më 12 nëntor 2025 në emisionin “Pressing” në televizionin T7 duke e cilësuar ngjarjen si “skandaloze dhe të paprecedentë”.
Sipas tij, panelisti i rregullt i emisionit, Parim Olluri, në cilësinë e gazetarit, jo vetëm që e ka ofenduar rëndë gjatë debatit, por ka shkuar deri në tentativë për sulm fizik.
Kraki thotë se Olluri e ka quajtur atë “servil i Faton Pecit”, “servil i Donika Gërvallës”, “rrugaq”, “rrenc” dhe “mashtrues”, ndërsa ka eskaluar në agresivitet duke iu drejtuar me fraza si “mshele gojën” dhe “laper”, e më pas është ngritur në këmbë për ta sulmuar fizikisht. Sipas deputetit, ndërhyrja e panelistëve të tjerë e ka parandaluar incidentin para kamerave.
Pas emisionit, Kraki ka paraqitur rastin në Polici duke raportuar se ndaj tij janë kryer veprat penale “Kanosja” sipas nenit 181 të Kodit Penal të Kosovës dhe “Sulmi në tentativë” sipas nenit 187 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Deputeti shpreh pakënaqësi të thellë me veprimin e Prokurorisë, e cila sipas tij as nuk ka ftuar Ollurin për intervistim, as nuk ka ndërmarrë veprime hetimore duke udhëzuar Policinë se “rasti nuk ka elemente të veprës penale” dhe se duhet ngritur padi civile.
Kraki këtë e quan “standard të papranueshëm drejtësie” duke theksuar se provat me zë e figurë e dokumentojnë qartë kanosjen dhe tentimin e sulmit.
Ai ka kritikuar gjithashtu heshtjen e mediave, mosreagimin e gazetarëve, si dhe mungesën e reagimit të shumicës dërrmuese të deputetëve, madje edhe të grupit të tij parlamentar. Sipas tij, kjo ngre pikëpyetje serioze mbi normalizimin e dhunës në media dhe mosveprimin institucional.
“Nëse një deputet trajtohet kështu, çfarë mund të presë një qytetar i thjeshtë?”, pyet Kraki duke shtuar se askush nuk duhet të ketë privilegjin të fyejë, shpifë apo sulmojë publikisht pa pasoja ligjore.
Deputeti ka paralajmëruar se rasti nuk do të lihet të mbyllet, por do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore, deri në fund.
“Dhuna nuk duhet të normalizohet”, përmbyll reagimin e tij Nezir Kraki. /Kosova.info/
