Flija, kryefjalë e “Darka e bereqetit hasjan”
Në Gjonaj u mbajt për herë të tretë manifestimi tradicional `Darka e bereqetit hasjan`, një ngjarje që tashmë është bërë simbol i ruajtjes së trashëgimisë së rajonit.
Pjesa më e veçantë ishte përgatitja e flisë, e cila kishte një gjatësi prej 2 metrash, duke u bërë kështu një nga flijat më të mëdha të përgatitura ndonjëherë në trojet shqiptare.
Ramadan Totaj, i cili ishte angazhuar në përgatitjen e saj, ka theksuar se përgatitja e kësaj flije kërkon përvojë, durim dhe bashkëpunim të gjithë banorëve.
“Kjo është një traditë që na bashkon dhe e tregon më së miri shpirtin punëtor e mikpritës të hasjanëve” ka theksuar ai.
Kryetari i SKKA “Malësori”, Haziz Hodaj, theksoi se ‘Darka e bereqetit hasjan’, që njihet edhe si ‘Darka e Lamës’ po kthehet në një ndër festat më autoktone dhe më përfaqësuese të kulturës hasjane.
Sipas tij, kjo ngjarje nuk është vetëm festive, por një mënyrë për të ruajtur dhe përcjellë traditat brez pas brezi.
Kurse, nënkryetari i Prizrenit, Kujtim Gashi, e ka vlerësuar rëndësinë e organizimeve të tilla.
“Festa të tilla që promovojnë trashëgiminë tonë kulturore e kombëtare duhet të përkrahen dhe zhvillohen vazhdimisht”, ka deklaruar ai.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe antropologia amerikane Janett Reineck, e cila e vlerësoi këtë manifestim si një dëshmi të gjallë të kulturës dhe identitetit hasjan.
Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra banorë nga Hasi dhe rrethinat, përfaqësues të komunës së Prizrenit, mysafirë nga mbarë Kosova dhe të ftuar të veçantë.

