Kryeziu kritikon KQZ-në: S’mund të garantojë një kompani private besimin në zgjedhje – gabim i rëndë institucional

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar ndaj mënyrës se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka komunikuar me publikun pas zhvillimeve të fundit në procesin zgjedhor.

Kryeziu ka kërkuar që KQZ-ja të veprojë si një autoritet kushtetues duke ofruar transparencë dhe përgjegjësi publike, e jo përmes komunikatave që, sipas tij, synojnë të arsyetojnë vetveten dhe të transferojnë përgjegjësinë institucionale te një subjekt privat.

“KQZ-ja duhet të flasë si autoritet kushtetues, me transparencë dhe përgjegjësi publike, e jo përmes komunikatave dhe njoftimeve që synojnë ta arsyetojnë vetveten dhe të transferojnë përgjegjësinë institucionale dhe besimin qytetar te një kompani private,” ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka theksuar se është i papranueshëm pretendimi se një biznes privat mund të garantojë besimin në procesin zgjedhor duke e cilësuar një gjë të tillë si “gabim të rëndë institucional”.

“Sjellje të tilla vetëm sa rrisin mosbesimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe dëshmojnë mungesë serioze profesionalizmi,” ka përfunduar Kryeziu. /Kosova.info/


Go to TOP