IPK rekomandon suspendimin e katër policëve në Podujevë për keqtrajtim të qytetarëve, njëri prej tyre i mitur

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë që shërbenin në Stacionin Policor të Podujevës.

Sipas njoftimit, IPK ka pranuar informacionet e para nga vetë Policia e Kosovës, ku është dyshuar se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.

Bazuar në hetimet fillestare, ekziston dyshimi se zyrtarët në fjalë kanë keqtrajtuar dy qytetarë – njëri prej tyre i mitur – gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe brenda zyrave të stacionit policor.

Hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në procedurë të rregullt, për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.”

IPK ka bërë të ditur se hetuesit e saj, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. /Kosova.info/


Go to TOP