Gashi: Zgjidhja e ngërçit politik – LDK-ja në koalicion me VV-në
Analisti politik, Milazim Gashi, në një prononcim për Kosova.info, ka ofruar një propozim konkret për tejkalimin e ngërçit aktual politik në vend. Sipas tij, mënyra më e arsyeshme për të rikthyer stabilitetin institucional dhe për të ecur përpara me reformat, është formimi i një koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Gashi propozon që LDK-ja të marrë postin e kryeministrit me Lumir Abdixhikun në krye, ndërsa Albin Kurti të zgjidhet president i vendit e Vjosa Osmani të marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Sipas tij, një konfigurim i tillë jo vetëm që do të sigurojë një balancë politike dhe institucionale, por do të mundësonte edhe zhbllokimin e shumë proceseve të ngecura.
“Me Abdixhikun si kryeministër, do të zhbllokoheshin projektet e komunës së Prishtinës dhe do të jepej mundësia për të jetësuar programin zhvillimor të Përparim Ramës për kryeqytetin”, ka theksuar Gashi.
Ai ka shtuar se bashkëpunimi mes këtyre dy partive, do të krijonte një qeveri të qëndrueshme, e cila do t’i jepte fund krizës së vazhdueshme politike dhe do t’i hapte rrugë reformave të nevojshme për vendin, përfshirë arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
