Hadergjonaj: Xhafer Gashi është simbol i lirisë dhe shtetndërtimit – dorëheqja e tij nuk pranohet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe komandanti i njohur i Koshares, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka shprehur mbështetje të plotë për ish-kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi, pas dorëheqjes së tij morale pas zgjedhjeve lokale.
Në një reagim publik, Hadergjonaj e ka quajtur Gashin “një nga liderët e dëshmuar të luftës dhe të paqes” duke theksuar rolin e tij të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e komunës së Obiliqit.
“Miku e bashkëluftëtari im Xhafer Gashi, ti je një nga liderët e dëshmuar të luftës dhe të paqes – një njeri që ka ditur të prijë me dinjitet në kohë të vështira dhe të ndërtojë me vizion në paqe,” ka shkruar Hadergjonaj.
Ai ka theksuar se Gashi “nuk është thjesht individ, por simbol i lirisë, shtetndërtimit dhe përkushtimit qytetar,” duke e vlerësuar si “transformuesin e Obiliqit, që solli zhvillim, stabilitet dhe besim.”
Sipas Hadergjonajt, formacioni politik që Gashi ka ngritur dhe udhëhequr është dëshmi e përkushtimit dhe vizionit të tij për të mirën e përbashkët.
“Dorëheqja jote nuk pranohet, sepse lidershipi yt është ende i domosdoshëm – për LDK-në, për Obiliqin dhe për Kosovën,” ka përfunduar deputeti i LDK-së dhe komandanti i Koshares, Fadil Hadergjonaj. /Kosova.info/
