Ndërpritet numërimi i votave në Mitrovicë të Jugut për shkak të parregullsive

Prokuroria në vendngjarje, komisionarët e PDK-së kundërshtojnë vazhdimin

Numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicë të Jugut është ndërprerë sonte pas raportimeve për parregullsi në proces. Burime nga terreni bëjnë të ditur se numërimi nuk pritet të vazhdojë gjatë mbrëmjes.

Në qendër është e pranishme edhe Prokuroria, e cila ka kërkuar që procesi i numërimit të mos ndërpritet, por komisionarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të koalicionit parazgjedhor nuk kanë pranuar që të vazhdohet me numërimin e votave.

Deri në momentin e ndërprerjes, ishin numëruar 25 nga gjithsej 105 vendvotime.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, kryeson garën përballë kandidatit të PDK-së, Arianit Tahiri, me një epërsi prej 2.315 votash.

Në momentin e ndërprerjes së numërimit në QKN, Peci udhëhiqte me 50.19% (4.186 vota), ndërsa Tahiri kishte 49.81% (4.154 vota).

Në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe ato të votimit jashtë Kosovës, të cilat pritet të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Sipas KQZ-së, rezultatet finale për zgjedhjet në 18 komuna pritet të shpallen brenda 10 ditësh, ndërsa certifikimi zyrtar i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të jenë përfunduar të gjitha ankesat në PZAP dhe proceset eventuale në Gjykatën Supreme. /Kosova.info/


Go to TOP