Arsi Bako me “Rreze zjarr” fiton edicionin e tretë të Festivalit të Këngës
Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK ka gjetur fituesin e tij dhe kjo është kënga “Rreze zjarr” nga Arsi Bako, me tekst dhe muzikë nga Gjergj Kaçinari dhe dirigjim orkestre nga Alfred Kaçinari.
Çmimin kryesor të festivalit, “Diamanti i kaltër”, këngëtares Arsi Bako ia dorëzoi ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Përveç çmimit kryesor, Arsi Bako u vlerësua edhe me Çmimin e Kryeqytetit, të cilin e dorëzoi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e bërë këtë triumf edhe më të veçantë për artisten.
Çmimi i dytë i festivalit shkoi për Florent Abrashin me këngën “Unë dhe Ti”, ndërsa Arjeta Palushaj me këngën “Andrra” u shpërblye me çmimin e tretë.
Performancat e spikatura nuk lanë pa vlerësim edhe artistët e tjerë: Art Lokaj me këngën “Ty” fitoi Çmimin e Orkestrës, ndërsa Teutë Halili me këngën “Amin” u shpërblye me “Penën e Argjendtë”.
Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK u karakterizua nga një garë e fortë, performanca të shkëlqyeshme dhe një atmosferë madhështore, duke dëshmuar edhe njëherë rëndësinë e këtij eventi për skenën muzikore në vendin tonë dhe promovimin e talenteve të rinj por edhe këngëtarëve tashmë të afirmuar.
