PDK: Dhënia e mandatarit LVV-së është humbje kohe – zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe planet për angazhimin në garat balotazhi të 9 nëntorit.

Në njoftimin e lëshuar pas mbledhjes, PDK ka vlerësuar se dhënia përsëri e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për formimin e qeverisë përbën “humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale” duke theksuar se është e qartë që asnjë subjekt politik nuk e ka shumicën parlamentare në këtë legjislaturë.

“Kryesia e PDK-së njëzëri ka përsëritur qëndrimin e saj të qartë se nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV. Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e ngërçit aktual duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja,” thuhet në komunikatë.

PDK ka theksuar se kriza e stërzgjatur politike, e cila sipas saj është shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dëmtuar çdo sektor të vendit dhe ka krijuar rrezik që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë duke vënë në rrezik pagat dhe funksionimin normal të institucioneve gjatë vitit të ardhshëm.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë mbledhjes ka shprehur mirënjohje për përkrahjen dhe angazhimin e anëtarëve e simpatizantëve të partisë në zgjedhjet lokale duke theksuar se PDK është rikthyer në vendin e parë për nga vota popullore pas 12 vitesh.

“Me 187.526 vota, PDK ka siguruar gjithsej 206 ulëse në Kuvendet Komunale duke lënë prapa partitë e tjera. Po ashtu, PDK ka rritur numrin e votave në total për kandidatët për kryetarë komunash duke u radhitur e dyta në nivel vendi dhe duke fituar në tri komuna – Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit – që në raundin e parë,” tha Krasniqi.Ai u bëri thirrje strukturave të partisë për angazhim maksimal në ditët e mbetura deri në balotazh, për të siguruar fitore në komunat ku PDK është ende në garë.

“Kërkoj nga gjithë kryesia dhe strukturat e partisë që të vazhdojnë mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash. Jemi të bindur se qytetarët do të na besojnë sërish për të udhëhequr me përgjegjësi dhe për t’i dhënë vendit stabilitetin e nevojshëm,” përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP