LBK pret Ramën: Dialog për zhvillim ekonomik, inovacion dhe partneritete publiko-private në Prishtinë
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) priti sot në një takim pune me bizneset anëtare të saj Kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mandatin e ardhshëm, z. Përparim Rama.
Gjatë këtij takimi, z. Rama prezantoi programin e tij qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar duke paraqitur vizionin e tij për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të kryeqytetit, modernizimin e infrastrukturës urbane, digjitalizimin e shërbimeve komunale dhe forcimin e partneriteteve publiko-private si bazë e rritjes afatgjatë.
Në diskutimet e zhvilluara, u theksua rëndësia e politikave lokale që nxisin ndërmarrësinë, përkrahjen e bizneseve të vogla e të mesme, si dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe komunitetit të biznesit në hartimin dhe zbatimin e projekteve me ndikim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, falënderoi z. Përparim Rama për pjesëmarrjen dhe prezantimin e detajuar të programit të tij para përfaqësuesve të bizneseve duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një dialogu të qëndrueshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
“Ky takim është dëshmi e nevojës për bashkëpunim të ndërsjellë në funksion të një ekonomie dinamike, konkurruese dhe inovative. Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të vazhdojë të mbetet një platformë e pavarur për përfaqësimin e interesave të biznesit dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse lokale e kombëtare,” theksoi Dreshaj.
Në përmbyllje, LBK shprehu përkushtimin për të mbetur e hapur ndaj të gjitha institucioneve dhe aktorëve ekonomikë, me qëllim krijimin e një dialogu gjithëpërfshirës dhe të balancuar për të ardhmen ekonomike të kryeqytetit. /Kosova.info/
