Lushi: Letra e Kurtit për Trendafiloven është farsë tallëse, jo veprim shtetëror
Veprimtari i çështjes kombëtare, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj letrës që kryeministri Albin Kurti i ka dërguar kryeprokurores së Dhomave të Specializuara, Alex Whiting dhe gjyqtares Trendafilova duke e quajtur atë një “farsë tallëse” dhe jo veprim të një udhëheqësi shtetëror.
Sipas Lushit, një kryeministër dhe një lider partie me shumicën më të madhe në Kuvend nuk duhet të kufizohet në dërgimin e letrave simbolike, por të ndërmarrë veprime konkrete në mbrojtje të drejtësisë dhe të të akuzuarve në Hagë.
“Kurti ka mundur të krijojë trup apo komision legjislativ në Kuvend, ekip të veçantë ekspertësh të huaj mbikëqyrës të Speciales brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Jashtme, apo të paguante avokatë të niveleve më të larta me para nga buxheti i shtetit,” ka deklaruar Lushi.
Ai theksoi se kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjërën nga këto masa duke e cilësuar letrën si “vetëm larje goje dhe simbol i dështimit të Ekzekutivit për t’i treguar Speciales se nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës”. /Kosova.info/
