Cakolli tregon afatin e mandatari dhe datat e mundshme të zgjedhjeve
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend dhe për të siguruar të paktën 61 vota.
“Nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja,” ka shkruar Cakolli.
Ai shtoi se sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për të shpallur datën e zgjedhjeve. “Nëse Kuvendi shpërndahet më 20 nëntor, opsionet reale për mbajtjen e zgjedhjeve janë 21 dhe 28 dhjetori,” ka thënë Cakolli, duke theksuar se të mundshme janë edhe 14 dhjetori ose 4 janari, në varësi të shpalljes së datës nga Presidentja. /Kosova.info/
