Punëtorët e RTK-së protestojnë për mungesën e pagave – Sindikata paralajmëron bojkot të ngjarjeve publike nëse kriza vazhdon

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar se të enjten, më 6 nëntor 2025, në ora 11:00, do të organizojë një protestë para hyrjes së Kanalit të Parë të RTK-së, për shkak të mungesës së pagave për punëtorët e transmetuesit publik.

Sipas njoftimit, kjo është hera e dytë brenda tre muajve që punëtorët e RTK-së mbesin pa paga duke u përballur me pasiguri ekonomike dhe duke rrezikuar funksionimin normal të institucionit.

RTK, siç thuhet në komunikatë, ndodhet në prag të shumë projekteve me rëndësi të madhe që lidhen drejtpërdrejt me misionin publik dhe interesin e përgjithshëm të vendit, por kriza financiare po pengon realizimin e tyre dhe po dëmton rolin e transmetuesit publik si medium i pavarur dhe gjithëpërfshirës.

“SPERTK u bën thirrje të gjithë kolegëve, pa asnjë përjashtim, të bashkohen në këtë protestë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën e tyre themelore për pagë. Kjo nuk është protestë politike, por protestë dinjiteti dhe e drejtë ligjore për punën që kryejmë çdo ditë në shërbim të publikut,” thuhet në reagimin e sindikatës.

Nëse situata nuk ndryshon pas protestës së paralajmëruar, SPERTK njofton se do të kërkojë bojkotimin e të gjitha ngjarjeve me peshë publike si formë presioni për zgjidhjen urgjente të krizës së pagave dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të RTK-së.

Sindikata u ka bërë gjithashtu thirrje të gjitha mediave në Kosovë që ta mbulojnë dhe ta përcjellin këtë protestë si akt solidariteti dhe mbështetjeje për punëtorët e transmetuesit publik dhe të drejtën e tyre për paga të rregullta. /Kosova.info/


Go to TOP