​Artan Abrashi i VV merr mbështetjen e Zafir Berishës për Prizren

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, në balotazh për komunën e Prizrenit ka vendosur të mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashin.

Abrashi, i cili më 9 nëntor do të përballet me Shaqir Totajn e PDK-së, ka konfirmuar mbështetjen e Berishës përmes një postimi në rrjete sociale.

“Bashkë, me ikonën Zafir Berisha me zemër e vullnet për Prizrenin që na bashkon,” ka shkruar Abrashi duke publikuar edhe një fotografi me Berishën.

Ndërkohë, kandidati i PDK-së dhe kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nënshkruar sot një marrëveshje koalicioni me kryetarin e degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj duke forcuar pozicionin e tij për balotazh.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Totaj doli i pari me rreth 7 mijë vota më shumë se Abrashi, por pa arritur shumicën prej 50 për qind të nevojshme për fitore. Për këtë arsye, të dy kandidatët do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit për drejtimin e Prizrenit. /Kosova.info/


Go to TOP