Pacolli: LDK e Lumirit dhe PDK e Samisë janë bashkë – Prishtina s’i ndjek interesat e tyre

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pas marrëveshjeve të fundit politike ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në disa komuna të vendit duke theksuar se kjo aleancë ishte e paralajmëruar prej kohësh.

Në një postim në rrjete sociale, Pacolli ka akuzuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, se po bashkëpunon ngushtë me Sami Lushtakun e PDK-së duke e cilësuar këtë koalicion si të papranueshëm për qytetarët e Prishtinës.

“Nuk është befasi, sepse kemi thënë në vazhdimësi që LDK-ja e Lumirit dhe PDK-ja e Sami Lushtakut janë bashkë! Lumir, ti edhe bën koalicion me Saminë, por jo edhe elektorati, sepse interesat e Samisë e tuat nuk përkojnë me ato të Prishtinës,” ka shkruar Pacolli.

Ajo ka shtuar se ky zhvillim është një arsye shtesë që qytetarët e Prishtinës të votojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin e saj për kryetar, Hajrullah Çekun.

“Një arsye më shumë me votu Lëvizjen dhe Hajrullah Çekun!” ka përfunduar Pacolli. /Kosova.info/


Go to TOP