Buzhala: Faton Peci më rugovist në shpirt se Lumir Abdixhiku

Gazetari Viktor Buzhala ka reaguar pas marrëveshjes së koalicionit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në Mitrovicë, e cila përfshin mbështetjen e kandidatit Arian Tahiri për kryetar të komunës, në vend të Faton Pecit.

Përmes një postimi, Buzhala ka treguar se e njeh Fatoni Pecin që nga viti 2002, kur ai ishte ende adoleshent dhe vepronte në zyrat e LDK-së në Mitrovicë, pranë kryetarit të atëhershëm të komunës, Faruk Spahiu.

“Fatoni u rrit në ato zyre, krah kryetarit të atëhershëm të qytetit, të ndjerit Faruk Spahiu. Sot, LDK’ja vendosi të mbështesë kundërkandidatin e tij për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin. Nejse, punë për ta, sindroma e Stokholmit është e poshtër”, shkroi ai.

Në fund, gazetari theksoi bindjen e tij se Peci përfaqëson më shumë frymën rugoviste sesa vetë kreu aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Shumë më rugovist në shpirt dhe bindje është Faton Peci se Lumir Abdixhiku. Bile, për këtë të fundit nuk jam i bindur as që është apo ka qenë ndonjëherë rugovist”, përfundoi Buzhala. /Kosova.info/


Go to TOP