IKD: Zgjedhja e anëtares së re të Këshillit Prokurorial të Kosovës u zhvillua në mënyrë të hapur dhe ligjore
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ndjekur nga afër procesin e zgjedhjes së anëtares së re të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) duke vlerësuar se ai është zhvilluar në mënyrë të hapur, transparente dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi.
Sipas IKD-së, procesi është zhvilluar në bazë të Ligjit Nr. 06/L-056 për KPK, Ligjit Nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, si dhe Rregullores Nr. 05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarit, që përcakton se KPK përbëhet nga shtatë (7) anëtarë.
Në përputhje me këto dispozita, Këshilli Prokurorial kishte shpallur konkurs publik për pozitën e anëtares së re nga radhët e gjinisë femërore, me qëllim të sigurimit të përfaqësimit të balancuar gjinor dhe respektimit të parimit të barazisë në përfaqësim institucional.
IKD thekson se procedura e përzgjedhjes ka filluar me kohë dhe është zhvilluar sipas rregullores përkatëse duke garantuar pjesëmarrje të barabartë dhe konkurrencë të drejtë ndërmjet kandidateve nga prokuroritë themelore.
Pas përfundimit të procesit, znj. Elza Bajrami-Kastrati është zgjedhur anëtare e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Mandati i saj do të fillojë në janar 2026, pas miratimit të raportit përfundimtar të Komisionit Zgjedhor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, që do të certifikojë rezultatet e votimit dhe do të përmbyllë zyrtarisht procesin e zgjedhjes.
Në fillim të vitit të ardhshëm, Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet të funksionojë në përbërje të re me shtatë anëtarë, përfshirë edhe një anëtar që do të zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, siç parashihet me ligj. Kjo përbërje e re, sipas IKD-së, shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit institucional dhe efikasitetit të sistemit prokurorial në vend.
Znj. Bajrami-Kastrati pritet të përfaqësojë të gjitha prokuroritë themelore të Kosovës, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional, avancimin e transparencës dhe ndërtimin e një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe efikas.
Në fund, IKD ka vlerësuar se ky proces përbën një shembull pozitiv të respektimit të transparencës dhe profesionalizmit në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë duke inkurajuar që standarde të tilla të ndiqen në të gjitha proceset e ardhshme në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. /Kosova.info/
