Punëtorët e RTK-së paralajmërojnë protesta e grevë të përgjithshme: 700 familje pa paga, kërkojmë zgjidhje urgjente
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka bërë thirrje urgjente për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së pagave për punëtorët e RTK-së duke kërkuar ndërhyrje nga Kuvendi i Kosovës, partitë politike, si dhe të gjithë aktorët institucionalë vendimmarrës, përfshirë Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së.
Në reagimin e saj, SPERTK thekson se punëtorët e RTK-së prej javësh nuk kanë marrë pagat e tyre duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe të padrejtë.
“Sot, rreth 700 familje të punëtorëve të RTK-së kanë mbetur pa të ardhura duke u përballur me detyrime të mëdha financiare dhe vështirësi jetike. Në kohën kur institucionet e shtetit flasin për rritje pagash, punëtorët e RTK-së nuk i kanë marrë as pagat bazë që u takojnë ligjërisht”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
SPERTK paralajmëron se nëse kjo kërkesë nuk gjen zgjidhje brenda një afati të shkurtër kohor, do të nisë protesta para institucioneve të vendit, të cilat më pas do të pasohet nga një grevë e përgjithshme dhe bojkotim i çdo ngjarjeje publike që zhvillohet në Kosovë.
“RTK është pjesë e shtetit të Kosovës, dhe punëtorët e saj janë taksapagues të rregullt të këtij vendi. Kjo gjendje është e patolerueshme dhe ka mundur të parandalohet me një planifikim të përgjegjshëm institucional”, përfundon reagimi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së. /Kosova.info/
