Vetmia si strehë shpirtërore në poezinë e Besim Xanit
Shkruan: Nezir BEJTA
Poezia “Vetmia” e Besim Xanit shpreh drejtpërdrejt dhe qartazi boshtin tematik të poezisë, ndjenjen e vetmisë, jo si mallkim, por si gjendje e pranueshme madje shpëtimtare për poetin.
Kjo poezi është një reflektim filozofik dhe ekzistencial mbi vetminë, dhimbjen dhe marrëdhënien e poetit me artin, jetën dhe absurditetin.
Subjekti lirik i drejtohet lexuesit me një ton të qetë, por të thellë duke kërkuar mirëkuptim:
“Mos u tallni me vetminë time,
Me dashuri e kam pranuar”…
Poeti e sheh vetminë jo si dënim, por si strehë shpirtërore, në mënyrë që të mos “u çmendur turma e marrë”. Kështu vetmia bëhet mjet mbrojtës kundër shoqërisë së shtirur e të pakuptimtë.
Në vazhdim ai shfaq një kontrast të mosbesimit fetar dhe besimit në art:
“S’i besoj Zotit, më shumë artit”…
Ky varg është deklaratë artistike dhe filozofike dhe për autorin arti është forma më e lartë e besimit dhe shpëtimit shpirtëror.
Ndërgjegjja e tij “e përgjakur” tregon nje shpirt që vuajtjen e kthen në krijim, pra diçka që buron nga dhimbja dhe kjo dhimbje është “e madhe sa bjeshka, sa deti, e më e madhe se oqeani”.
Në strofën e tretë kemi një frymë ekzistencialiste të afërt me mendimin e Kamysë:
“Vetëvrasje s’do të bëj,
Me lot në sy absurditetin do ta përqafojë”…
Poeti e pranon absurditetin e jetës, por zgjedh ta përqafojë, ta përballojë me art dhe ndjeshmëri, e jo ta braktisë, duke e pohuar misionin e vet krijues:
“Kam shumë për të thënë,
Për njeriun, jetën, botën”…
Pra arti bëhet akt mbijetese dhe qëllim ekzistencial i tij.
Në fund të poezisë së tij, poeti përshkruan një skenë dramatike e metaforike:
“Nëse një ditë nuk kam afër vetes laps,
Me gjakun e pikëlluar, do t’i shkruaj dy rreshta”…
Këtu shfaqet forca e pavdekshme e krijuesit i cili do të krijojë me gjak, edhe kur i mungon lapsi:
“O jetë, pse ëndrrat rinore m’i përgjakë”…
Ky varg është një britmë poetike dhe filozofike që e mbyll poezinë me një ndjenjë tragjike, sepse sepse jeta ia ka përgjakur edhe ëndrrat edhe idealet e pastra të rinisë.
Pra, poezia e Besim Xanit është një këngë e shpirtit krijues, një manifest i poetit modern që zgjedh ta përqafojë vetminë dhe absurditetin si mënyrë për të mbijetuar.
