Latifi zbulon cili shtet luajti rol vendimtar për njohjen nga Siria: “Tregimet tjerat janë dokrra..”

Sipas Blerim Latifit, njohja e Kosovës nga Republike Arabe e Sirisë erdhi si rezultat i fitores së Izraelit në Lindjen e Mesme këtë vit.

Gjatë konfliktit në Gaza nga viti i kaluar, njëkohësisht me organizatën terroriste të Hamasit, Izraeli e shpartalloi njëkohësisht edhe Hezbollahun, milicinë islamike në Liban e cila luajti rol kyç në mbajtjen në pushtet të Bashaar Al-Asadit nga viti 2011 – që prej fillimit të luftës civile siriane.

Po ashtu, sipas Latifit, edhe nxjerrja nga loja e Iranit në luftën dhjetë ditore me Izraelin, ia “hoqi” krahët tek të cilët mbahej Assadi.

Kësisoj, profesori universitar analizon se u hap rruga për përmbysjen e pushtetit në Siri, me organizatën Hayat Tahrir Al-Sham të liderit aktual sirian, Ahmed Al-Shaara, që marshoi drejt Damaskut pasi regjimi i diktatorit Asad ra “si një kullë prej letre”.

“Siria nën Asadin ishte një satelit i Iranit dhe Rusisë. Milicitë e Hezbollahut patën rol vendimtar në mbajtjen e Asadit në pushtet përgjatë luftës civile që nisi aty në vitin 2011. Pastaj Irani nxiti Hamasin dhe Hezbollahun që të sulmojnë Izraelin. Në përgjigje, Izraeli shkatërroi Hamasin, shpartalloi Hezbollahun dhe bombardoi Iranin, duke e nxjerrë jashtë loje për dhjetë ditë lufte. Pa Iranin dhe Hezbollahun, Asadi nuk mund të qëndronte më në pushtet. Regjimi i tij ra si një kullë prej letre dhe milicitë e Ahmed Al Sharas marshuan në Damask”, shkroi Latifi në një postim në rrjetin social Facebook të mërkurën.

“Kështu Siria u zhvendos nga orbita e Rusisë dhe Iranit në orbitën amerikane”, vazhdoi Latifi

Sipas Latifit, njohja e Kosovës nga Siria është rezultat i kësaj zhvendosjeje.

“Është një përfitim i yni i tërthortë nga fitorja e madhe e Izraelit në Lindjen e Mesme. Tregimet tjera për procesin që solli deri te kjo njohje janë thjesht dokrra hini”, tha ai.

Siria e njohu zyrtarisht Kosovën në një ceremoni zyrtare në të cilën morën pjesë dy presidentët, Vjosa Osmani e Kosovës dhe Ahmed Al Shaara i Sirisë. Njohja u arrit me ndërmjetësimin e Muhamed Bin Salmanit, mbretit të Arabisë Saudite.

Go to TOP