Murati fton bizneset për diskutim mbi rritjen e pagës minimale
Ministri në detyrë i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, ka ftuar përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve për një takim konsultativ lidhur me çështjen e rritjes së pagës minimale në Kosovë.
Takimi është planifikuar të mbahet të enjten, nga ora 10:00, në objektin e Qeverisë së Kosovës.
“Në emër të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, ju ftojmë të merrni pjesë në takimin ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale”, thuhet në ftesën e Ministrisë drejtuar Dhomave dhe Odave Ekonomike në vend.
Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 350 euro bruto – një rritje që hyri në fuqi në gusht të vitit të kaluar, menjëherë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale. Ky ligj fillimisht parashihte një ngritje në 264 euro bruto, ndërsa para miratimit të tij, paga minimale ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç.
Nisma e re për diskutim vjen pak ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 26 tetor – ku dështoi formimi i qeverisë së re – përmendi mundësinë e rritjes së pagës minimale në 500 euro. /Kosova.info/
