Kurti, thirrje deputetëve: Votojeni Qeverinë “Kurti 3” për vazhdim të qeverisjes së mirë
Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.
Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.
“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës.
“Unë do të jem përherë i gatshëm, si në këto katër vjet, për diskutime deri në shterim”, tha Kurti.
Ai tha se këtë e ka dëshmuar kur ka debatuar me orë të tëra për buxhetin dhe qeverisjen e tij katërvjeçare në dy seanca të kërkuara nga opozita, në dhjetor të vitit të kaluar.
Çfarë bëri Kurti në mandatin e kaluar?
Përgjatë fjalimit të tij, Kurti po vazhdon t’i përmendë ato që po i cilëson arritje gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
Ai ka përmendur ndryshime në shumë sektorë, kryesisht në ekonomi, energji dhe mbrojtje.
Kurti nuk e ka lënë pa e përmendur edhe rrezikun që ka thënë se është i vazhdueshëm nga Serbia fqinje.
“Kosova sot është më e sigurt se kurrë më parë. Sfidat i kemi kthyer në mundësi për progres”.
Do të investojmë 1 milard euro në mbrojtje
Gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës, mandatari Albin Kurti tha se ai planifikon të shpenzojë 1 milard euro në mbrojtje gjatë mandatit të tij të ardhshëm, pasi që “bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasigurt që nga fundi i luftës së dytë botërore”.
Ai shtoi se investimet në mbrojtje do të bëhen përkrah angazhimit në aleancat me SHBA-në, BE-në e NATO-n.
Ai tha se gjatë mandatit të ardhshëm, “do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, do të shtojmë numrin e ushtarëve e oficerëve” si dhe do të bëhet fabrika e municioneve dhe dronëve në Kosovë.
Raportet me Serbinë
Kurti është zotuar se nëse e fiton edhe një mandat të ri në pushtet, ai do t’i qaset dialogut me Serbinë – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – në përputhje me një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit, për të cilën palët janë pajtuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si raport bilateral i jashtëm, e kurrsesi ndërhyrje apo përzierje në çështjet e brendshme”, ka thënë Kurti.
Reforma në drejtësi
Gjatë prezantimit të programit qeverisës, Kurti ka thënë se reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, por ka nisur të bëhet realitet.
“Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të ecë përpara, së bashku me vettingun, ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë edhe e besueshme. Do të themelohet Prokuroria e re e Specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe Zyra për Hetime Disiplinore”.
Kryeministri në detyë Albin Kurti ka njoftuar se nuk ka arritur të sigurojë koalicion për të qeverisur, megjithatë ai ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar, me emrat e ministrave të rinj të Qeverisë “Kurti 3”.
Kabineti qeveritar:
Zëvendëskryeministër, Ministër i Punëve të Jashtme: Glauk Konjufca
Ministër i Financave: Hekuran Murati
Ministër për Familje: Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes: Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme: Xhelal Sveçla
Ministër për Administratë dhe Digjitalizim: Lulzon Jagxhiun
Ministër i Arsimit: Avni Zogiani
Ministër i Kulturës dhe Turizmit: Fatmir Spahiu
Ministër i Sportit dhe Rinisë: Blerim Gashani
Ministër i MAPL: Rasim Demiri
Ministër i Mjedisit: Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë: Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës: Dimal Basha
Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq
Ministër i Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall
