Berisha: Armend Zemaj ishte viktimë e sulmit në shesh, jo agresor
Avokati Besnik Berisha ka reaguar publikisht pas incidentit të ndodhur sot në sheshin e Prishtinës, ku deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u përfshi në një përplasje fizike.
Në një sqarim për media, Berisha theksoi se klienti dhe miku i tij, Armend Zemaj, nuk ka qenë në asnjë rrethanë nxitës apo agresor i situatës, por përkundrazi, ka qenë viktimë e një provokimi dhe sulmi të paprovokuar fizikisht.
“Sqaroj se z. Zemaj nuk ka pasur asnjë faj apo kontribut në incident. Ai ka dhënë deklaratën e tij në Polici dhe ngjarja është sqaruar plotësisht. Faktet tashmë janë të dokumentuara në duart e hetuesve dhe për dijeni të Prokurorisë,” tha Berisha.
Ai shtoi se personi që në raportimet e para është paraqitur si viktimë, në realitet ka qenë sulmuesi dhe agresori i vetëm në këtë rast.
Pavarësisht kësaj, sipas Berishës, deputeti Zemaj ka shprehur keqardhje për situatën, “duke manifestuar dinjitet dhe përgjegjësi publike.”
Në fund, avokati kërkoi nga mediat që të korrigjojnë titujt e raportimeve që aludojnë se Zemaj ka sulmuar një qytetar, duke theksuar se “titujt duhet të reflektojnë faktet reale, pa deformim të së vërtetës.” /Kosova.info/
