Fetoshi: Këshilli i Sigurimit, ‘pasqyra’ e dështimit të OKB-së
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, tha se SHBA-të denoncuan farsën e UNMIK-ut, duhet të mbyllet sepse i takon historisë dhe është i mbytur në korrupsion.
Ai ka vlerësuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së edhe sot dëshmoi të vërtetën brutale: ritualin e përsëritur të burokratëve në teatrin absurd të thirrjeve për bashkëpunim, mirëkuptim e dialog me njëri-tjetrin.
“Organi që është projektuar si më i rëndësishmi për sigurinë dhe paqen në botë, është kthyer në forumin më grotesk të realitetit global kërcënues, me Rusinë në krye. ‘Kombet e bashkuara’ me sa duket nuk dinë që OKB po dështon, dhe nëse kjo ndodhë, përpara na pret një luftë e madhe, njësoj si me Ligën e Kombeve dikur. Këshilli i Sigurimit i OKB-së edhe sot dëshmoi të vërtetën brutale: ritualin e përsëritur të burokratëve në teatrin absurd të thirrjeve për bashkëpunim, mirëkuptim e dialog me njëri-tjetrin”, shkroi ai në ‘Facebook’.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën qartë kundër kësaj farse ndërkombëtare, duke kërkuar mbylljen e misionit të UNMIK-ut.
“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe takimet e tilla i dëmtojnë punët e rëndësishme që këshilli duhet t’i bëjë”, tha përfaqësuesi i saj, Jeff Bartos, në mbledhjen që ‘shqyrtonte’ raportin 6-mujor për Kosovën.
“Pra, në vend të një forumi që sanksionon agresorët dhe mbron viktimat, Këshilli i Sigurimit shpërfaqi edhe sot një sallë retorike që s’prodhon asnjë ndryshim. Një tribunë ku recitohen vazhdimisht fjalë të bukura, pas të cilave fshihet jo vetëm pafuqia, por edhe ironia e drejtimit nga agresori që minon vetë rendin e OKB-së. Me Rusinë në krye dhe Serbinë anash, që vajton “viktimën” për “Metohinë” e pushtuar të Kishës Serbe, Këshilli i Sigurimit bëhet fytyra morbide e krizës së organizatës. Serbia “përshëndetet e falënderohet” nga anëtarët, pavarësisht gënjeshtrave, manipulimit dhe fabrikimit, për apetitet e saj shoviniste. Gjuriq nuk harron asnjëherë t’i referohet një rezolute (1244), të tejkaluar që moti nga vetë Sekretari i Përgjithshëm me Propozimin e Ahtisarit si i dërguari i tij, apo “integritetit territorial” të Serbisë, të shpartalluar nga gjykata e OKB-së (GJND, 2010) në bazë të kërkesës së vetë Serbisë”, tha ai.
Duke shtuar se ai s’merr asnjë “flakaresh” edhe kur nuk i përgjigjet kërkesave për ndjekjen dhe ndëshkimin e terroristëve në krye me Radojçiqin.
“Megjithatë, cinizmin e këtij shteti që minon hapur Kosovën, provokon destabilizim në veri dhe e përdor komunitetin serb si “armë”, sot e demaskoi ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla dhe për këtë meriton vlerësim. Duke afirmuar zëshëm pozicionin e Kosovës në krah me aleatët perëndimorë dhe duke i ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit që ta vizitojnë Kosovën, ajo i dha një përgjigje strategjike hileve të Gjuriqit dhe çfarëdo dileme mbi të VËRTETËN, si rruga e vetme për ta ruajtur paqen. UNMIK-u duhet të mbyllet, sepse i takon historisë dhe është mbytur “në korrupsion, nepotizëm e keqmenaxhim”. Prandaj Kosova meriton të dëgjohet, sepse është simbol i kërcënimeve gjeopolitike nga apetitet serbo-ruse”, shkroi Fetoshi.
