Berisha: Koalicioni me VV në Vushtrri u miratua nga Abdixhiku, u kërkua edhe përkrahje në Suharekë
Avokati dhe anëtari i LDK-së, Besnik Berisha, ka reaguar sërish lidhur me koalicionin e degës së LDK-së në Vushtrri me Vetëvendosjen duke hedhur dritë mbi prapaskenat e këtij vendimi.
Në një reagim publik, Berisha tha se koalicioni nuk ka ndodhur rastësisht, por është diskutuar dhe miratuar nga vet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ai është diskutuar, aprovuar dhe lejuar nga vet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deri mbrëmë, kur gjërat kanë ndryshuar, e kur është kërkuar me anulu, ose jo publikisht me realizu,” shkroi Berisha.
Sipas tij, marrëveshja për Vushtrrinë lidhej edhe me kërkesën për përkrahje në Suharekë për kandidatin Ardian Shala.
“Në këmbim të asaj vote në Vushtrri, është kërkuar përkrahje edhe në Suharekë për Ardianin. Kjo përkrahje është siguru dhe kështu është edhe për Suharekë, ndonëse po përpiqen ta mbajnë fshehtë,” shtoi ai duke theksuar se “për këto, dikush ka prova”.
Berisha e mbylli reagimin me një citat të vetë kryetarit Abdixhiku, të thënë në emisionin Pressing: “Tash, në garën në Vushtrri, ku LDK do të jetë në garë potencialisht me PDK-në, është Vetëvendosje ajo që bën fituesin dhe njëra prej partive duhet të bëjë marrëveshje me Vetëvendosjen për Vushtrrinë.”
Në fund, avokati ironizoi me deklaratat për “rrugën pa busullë” dhe “konsistencën” që, sipas tij, shpesh dëgjohen në fjalë por rrallë shihen në vepra. /Kosova.info/
