United fiton ndaj Liverpool pas nëntë vitesh
Manchester United më në fund ka thyer mallkimin në “Anfield”, duke e mposhtur Liverpool me rezultat 2:1 në një ndeshje dramatike të Premier League.
Kjo është fitorja e parë e “Djajve të Kuq” në fushën e Liverpool që nga janari i vitit 2016.
Skuadra e Ruben Amorim e ka nisur ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi pas vetëm gjashtëdhjetë e dy sekondash me golin e Bryan Mbeumo, pas një aksioni të shpejtë ku kanë qenë të përfshirë Bruno Fernandes dhe Amad Diallo. Liverpool ka protestuar për shkak se goli ka ardhur në momentin kur Alexis Mac Allister ka qenë i shtrirë në tokë pas një përplasje me Virgil van Dijk, por loja nuk është ndalur.
“Reds” kanë pasur disa raste të mira për të barazuar, por dy herë janë ndalur nga shtylla, ndërsa United ka vazhduar të rrezikojë me kundërsulme të shpejta. Barazimi ka ardhur falë Cody Gakpo, i cili në minutën e shtatëdhjetë e gjashtë e ka shfrytëzuar një top të ulët nga Federico Chiesa dhe e ka shtyrë në rrjetë, duke e ndezuar atmosferën në “Anfield”.
Kur ndeshja është dukur se po shkonte drejt mbylljes baras, në skenë ka dalë futbollisti i United i kritikuar shpesh, Harry Maguire, i cili i ka dhënë fitoren ekipit mysafir. Në minutën e tetëdhjetë e katërt, Bruno Fernandes e ka dërguar një krosim perfekt në zonë, ku Maguire ka shënuar, duke i dhënë fund një periudhe prej nëntë ndeshjesh pa fitore në këtë stadium.
Aktualisht tabela e Premier League kryesohet nga Arsenal. Në vendin e fundit gjendet Wolves.
