Murseli falënderon qytetarët e Gjilanit: Kjo është vetëm një betejë, lufta vazhdon deri në ditën e fitores

Kandidati për asamblist në komunën e Gjilanit, Gentrit Murseli, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj qytetarëve pas publikimit të rezultateve të para zgjedhore. Në një reagim publik, ai ka falënderuar të gjithë gjilanasit për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë duke theksuar se kjo është një dëshmi e vlerësimit të punës dhe përkushtimit të tij ndër vite.

“Mbi 600 herë faleminderit, Gjilan! Të dashur qytetarë, familjarë, miq e dashamirë, ju falënderoj nga thellësia e zemrës për vlerësimin e punës dhe besimin e palëkundur,” ka shkruar Murseli.

Ai ka shtuar se shërbimi ndaj qytetit është nderi i jetës së tij dhe se përkrahja e marrë e obligon ta vazhdojë punën me edhe më shumë vendosmëri në mandatin e tij të tretë.

“Kjo është vetëm një betejë, lufta vazhdon deri në ditën e fitores,” përfundoi Murseli duke dhënë sinjalin e angazhimit të tij të pandalshëm për ta çuar përpara Gjilanin. /Kosova.info/


Go to TOP