VV bëhet anëtare e asociuar e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES)

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur një hap të rëndësishëm në afirmimin e saj ndërkombëtar duke u bërë zyrtarisht parti anëtare e asociuar e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES), një prej familjeve më të rëndësishme politike në Bashkimin Evropian.

Ky vendim u zyrtarizua sot gjatë punimeve të Kongresit të PES-it që po mbahet në Amsterdam të Holandës, ku po merr pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e kësaj arritjeje duke u shprehur se statusi i anëtarit të asociuar është më i larti që një parti politike mund të ketë në një familje evropiane përpara se shteti të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

“Bashkangjitemi me kërkesat e këtij kongresi për më shumë Evropë, më shumë demokraci, më shumë drejtësi”, deklaroi Kurti duke theksuar orientimin e qartë pro-evropian dhe social-demokrat të Lëvizjes.

Në këtë kongres, përveç Kryetarit Kurti, po marrin pjesë edhe Sekretari Organizativ i LV-së, Alim Rama, si dhe anëtarja e Kryesisë, Tinka Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP