Delegacioni i BQK-së takon shefin e Misionit të FMN-së në Takimet Vjetore: Diskutohen reformat dhe zhvillimet ekonomike në Kosovë

Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori,  Ahmet Ismaili, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), zhvilloi takim me Shefin e Misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli, si dhe me  Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal Rezident për Ballkanin Perëndimor në FMN, dhe bashkëpunëtorë të tyre.

Sipas njoftimit nga BQK, diskutimet u fokusuan në zhvillimet më të fundit ekonomike dhe në reformat në vazhdim në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë asistencën teknike që FMN-ja po ofron në fusha të ndryshme të mandatit të BQK-së.

“Guvernatori Ismaili dhe zëvendësguvernatori Cakaj prezantuan ecurinë e fundit të ekonomisë dhe sektorit financiar, me theks në forcimin e mbikëqyrjes bankare, zhvillimin e mekanizmave të përmbylljes, politikën makroprudenciale, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe reformat e tjera kyçe që janë në proces”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së, duke theksuar rolin thelbësor të asistencës teknike dhe ndërtimit të kapaciteteve në zbatimin me sukses të reformave strategjike të BQK-së.

Tutje  në njoftim theksohet se Amaglobeli vlerësoi lart pjesëmarrjen e Guvernatorit ne panelin e organizuar nga FMN, derisa rikonfirmoi përkushtimin e FMN-së për të mbështetur BQK-në në përmbushjen e mandatit të saj dhe në avancimin e reformave të sektorit financiar. /Kosova.info/


Go to TOP