Panairi ushqimor nga nxënësit e Shkollës “Zejnel Salihu” në Bardh të Madh

Në Shkollën fillore të mesme të ulët “Zejnel Salihu” në Bardh të Madh dhe Mesbardh, Komuna e Fushë Kosovës, u organizua panairi ushqimor me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Ushqimit.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të lëndës Edukatë qytetare, nën udhëheqjen e arsimtares Lumnije Bajqinca, dhe kishte karakter edukativ e mësimor.

Në këtë ngjarje morën pjesë dhe kontribuan mësimdhënësit, prindërit dhe përfaqësues të komunitetit lokal, ndërsa më së shumti e shijuan vetë nxënësit, të cilët prezantuan ushqime të përgatitura me kujdes dhe krijimtari.

Ky aktivitet tashmë është shndërruar në një traditë të bukur vjetore, e cila promovon rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, bashkëpunimin mes shkollës dhe komunitetit, si dhe angazhimin e nxënësve në aktivitete praktike dhe edukative.

Kujtojmë se Dita Botërore e Ushqimit (World Food Day) shënohet çdo vit më 16 tetor, dhe është një nga ditët më të rëndësishme ndërkombëtare që lidhet me ushqimin, bujqësinë dhe luftën kundër urisë.

Kjo ditë shënohet në mbi 150 vende të botës me aktivitete të ndryshme: panaire ushqimore, ekspozita, punëtori, ligjërata dhe fushata sensibilizuese, për të theksuar se ushqimi është një e drejtë themelore e çdo njeriu, dhe se bashkë mund të ndërtojmë një botë pa uri.

Në Kosovë kjo ditë është shënuar edhe në shumë shkolla të vendit, nga nxënës e mësimdhënës.


Go to TOP