Bajrami: Kurti që ka fëmijën në Oslo, po i thotë Përparim Ramës të largohet nga Kosova
Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti duke i quajtur “turpshme” thirrjet e tij që kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, të largohet nga Kosova me “biletë njëdrejtimëshe”.
Në një postim të saj, Bajrami ka theksuar se është e papranueshme që një kryeministër t’i thotë një qytetari të Republikës së Kosovës të largohet nga vendi, sidomos kur bëhet fjalë për dikë që është kthyer nga diaspora për të ndërtuar vizionin dhe të ardhmen e kryeqytetit.
“Qysh i thuhet një qytetari të Republikës ‘largohu nga Kosova’, ndërkohë që ka ardhur në Prishtinë nga diaspora për të ndërtuar vizionin, projektet dhe të ardhmen e kryeqytetit? E kush po i thotë? Albin Kurti. Ky njeri që fëmijën e shkollon në Oslo të Norvegjisë, e Përparim Rama i ka sjellë fëmijët në shkollë në Prishtinë,” ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar me ironi se pas zgjedhjeve të së dielës, Kurti do të duhet të blejë një biletë për në Norvegji, për të takuar familjen e tij, pasi sipas saj, qytetarët do t’i tregojnë se nuk ka mbështetje as në tri komunat që ka keqqeverisur për katër vjet.
“Vizita në Norvegji, në Oslo te familja e tij, do t’i bënte mirë z. Kurti edhe për të tejkaluar dhimbjen e humbjes që do ta përjetojë nesër në gjithë Kosovën,” ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/
