Sondazh: Agim Aliu (PDK) prin bindshëm në Ferizaj – VV dhe LDK në garë për vendin e dytë

Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se në Komunën e Ferizajt prin me epërsi të theksuar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Agim Aliu.
Gara për vendin e dytë zhvillohet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas sondazhit, Agim Aliu (PDK) prin me 50.1% të mbështetjes, duke lënë pas VV-në me 23.2% dhe LDK-në me 19.7%.
Ndërkohë, Xhemile Murati Shabani (AAK) renditet e katërta me 7% të mbështetjes.

Këto rezultate tregojnë një avantazh të qartë të PDK-së në Ferizaj, me mundësi reale që fitorja të arrihet që në raundin e parë, nëse trendi aktual ruhet deri në ditën e zgjedhjeve.

Sondazhi është zhvilluar gjatë periudhës 27 shtator – 4 tetor 2025, me 902 të intervistuar në qytetin e Ferizajt dhe në disa nga fshatrat përreth si Talinoc, Gaçkë, Bibaj, Sojevë dhe Zaskok.
Ai është realizuar në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, përmes pyetësorëve fizikë dhe online, duke respektuar kriteret e përfaqësimit gjinor, moshës dhe përkatësisë etnike.

Sipas të dhënave të sondazhit, PDK dhe kandidati Agim Aliu shfaqen si favoritë absolutë për fitoren në Ferizaj, ndërsa VV dhe LDK do të zhvillojnë një betejë të ngushtë për vendin e dytë.
Të dhënat e këtij sondazhi reflektojnë stabilitetin politik të PDK-së në këtë komunë dhe besimin e vazhdueshëm të elektoratit ferizajas./Kosova.info/


Go to TOP