Sondazh: Shaqir Totaj (PDK) prin në Prizren – Artan Abrashi (VV) ndjek ngushtë, ndërsa LDK ruan elektoratin tradicional
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se në Komunën e Prizrenit prin kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj, me një epërsi të lehtë ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Artan Abrashi.
Ndërkohë, LDK mbetet e treta me një bazë të qëndrueshme elektorale, ndërsa subjektet më të vogla ndajnë pjesën tjetër të mbështetjes.

Sipas rezultateve, Shaqir Totaj (PDK) prin me 32.7%, duke mbajtur një epërsi shumë të ngushtë ndaj Artan Abrashit (VV), i cili renditet menjëherë pas tij me 31.8%.
Në vendin e tretë, Driton Selmanaj (LDK) mbledh 11.3% të mbështetjes, ndërsa Zafir Berisha (BDP) ruan një bazë të fortë lokale me 8.8% të votave. Kandidatët e tjerë – Albulena Balaj-Halimi (PSD), Emilja Rexhepi (NDS) dhe Besnik Krasniqi (AAK) – kanë mbështetje më të kufizuar, por që mund të ndikojë në balotazh në rast të garës së ngushtë mes dy të parëve.
Sondazhi është zhvilluar gjatë periudhës 27 shtator – 4 tetor 2025, me 1,262 të intervistuar në qytetin e Prizrenit dhe zonat përreth si Reçan, Korishë, Lubizhdë, Landovicë, Hoqë e Madhe dhe të tjera. Hulumtimi është realizuar nga Kosova.info në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, duke respektuar standardet e anonimitetit dhe përfaqësimit demografik.
Sipas sondazhit, Prizreni pritet të ketë një nga garat më të ngushta në zgjedhjet e 12 tetorit 2025, me diferencë minimale mes PDK-së dhe VV-së. Nëse trendi aktual vazhdon, Shaqir Totaj dhe Artan Abrashi pritet të jenë dy kandidatët që do të garojnë në balotazh, ndërsa LDK, BDP dhe subjektet e tjera më të vogla mund të luajnë rol kyç në balancën e raundit të dytë./Kosova.info/
