Sondazh: Ardian Gjini (AAK) kryeson me epërsi të madhe në Gjakovë – Vetëvendosje mbetet e dyta
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, kryeson me epërsi të dukshme në garën për kryetar të Komunës së Gjakovës.
Rezultatet tregojnë një diferencë të konsiderueshme ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ndërsa kandidatët e tjerë nga LDK, PSHDK, PDK dhe UDK mbeten me mbështetje më të ulët.

Sondazhi u zhvillua gjatë periudhës 26 shtator – 3 tetor 2025, me qytetarë nga Gjakova dhe zonat përreth: Bec, Rogovë, Meqe, Hereç, Skivjan dhe Doblibare. Pyetësori u krye në formë fizike dhe online, duke respektuar standardet e anonimitetit dhe përfaqësimit demografik.
Sipas të dhënave, Ardian Gjini qëndron në favor të qartë me 47.4%, ndërsa Ardian Gola mbetet i dyti me 23.8%. Shefqet Shehu (LDK) dhe Anton Shala (PSHDK) ndajnë mbi 10% secili, ndërsa Erin Shabani (PDK) ka 7.2%, dhe Mehmet Krasniqi (UDK) përfundon me 0.8%.
Analistët e Kosova.info vlerësojnë se diferenca prej mbi 20 pikë përqindjeje mes AAK-së dhe VV-së e vendos Gjakovën si një nga komunat me epërsi më të qartë për Ardian Gjinin, i cili pritet të sigurojë një fitore të re, ndoshta edhe pa balotazh.
Ky sondazh është pjesë e serisë së matjeve të Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” në të gjitha komunat e Kosovës, për të pasqyruar prirjet elektorale para zgjedhjeve të 12 tetorit 2025./Kosova.info/
