Sondazh: Zenun Elezaj (AAK) prin në Klinë – Sokol Bashota (PDK) ndjek me diferencë të ngushtë
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se në Komunën e Klinës, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Zenun Elezaj, prin me një përkrahje të lartë qytetare, ndërsa pas tij renditet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sokol Bashota.
Rezultatet e sondazhit tregojnë një garë të fortë midis dy subjekteve kryesore, ndërsa LDK dhe Vetëvendosje qëndrojnë me përqindje më të ulëta të mbështetjes.

Sondazhi është realizuar gjatë periudhës 26 shtator – 3 tetor 2025, me 693 të intervistuar nga qyteti i Klinës dhe zonat përreth: Dush, Grabanicë, Kryshec, Zajm, Volljakë dhe Jagodë. Pyetësori është zhvilluar në formë fizike dhe digjitale, duke respektuar standardet profesionale të anonimitetit dhe përfaqësimit të drejtë demografik.
Sipas sondazhit, Zenun Elezaj (AAK) kryeson me 43.7%, duke ruajtur një epërsi të qëndrueshme ndaj Sokol Bashotës (PDK), i cili renditet i dyti me 34.8%. Arben Limanaj (LDK) ka mbështetje më modeste me 14.1%, ndërsa Ramiz Rrusta (VV) qëndron me 7.4%, duke reflektuar një prezencë më të kufizuar të këtij subjekti në komunën e Klinës.
Analistët e Kosova.info vlerësojnë se gara mes Elezajt dhe Bashotës pritet të jetë vendimtare për balotazhin, me shanse të larta që AAK të ruajë avantazhin aktual nëse trendi i mbështetjes mbetet i pandryshuar deri në ditën e zgjedhjeve.
Ky sondazh për Klinën është pjesë e serisë së matjeve që Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” po zhvillojnë në të gjitha komunat e Kosovës, për të pasqyruar prirjet elektorale në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit 2025./Kosova.info/
