Sondazh: Kadri Rahimaj (VV) prin në Kamenicë, Qëndron Kastrati (PSD) dhe Shaip Surdulli (LDK) në ndjekje të ngushtë
Një sondazh i realizuar nga Kosova.info në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon një garë tejet të ngushtë dhe dinamike në Komunën e Kamenicës. Sipas rezultateve të sondazhit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, prin me një diferencë të vogël ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Sondazhi është realizuar gjatë periudhës 25 shtator – 2 tetor 2025, me 750 qytetarë të komunës së Kamenicës, të përzgjedhur nga zonat urbane dhe rurale përfshirë qytetin e Kamenicës, Hogoshtin, Koretin, Topanicën, Strezovcin dhe fshatrat e tjerë përreth.
Anketimi është zhvilluar në terren dhe online, nën mbikëqyrjen e Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” duke respektuar standardet e transparencës dhe anonimitetit të votuesve.
Sipas rezultateve, Kadri Rahimaj (VV) kryeson me 33.8% duke ruajtur një avantazh të lehtë ndaj Qendron Kastratit (PSD) me 25.8%, i cili ka përkrahje të fortë nga elektorati i mëparshëm i komunës. Shaip Surdulli (LDK) renditet i treti me 25.2%, shumë afër vendit të dytë, ndërsa Jona Arifi (PDK) me 10.9% dhe Faton Jakupi (AAK) me 4.3% plotësojnë garën elektorale.
Sipas analistëve të Kosova.info, diferencat e vogla mes tre kandidatëve të parë e bëjnë Kamenicën një nga komunat më të paparashikueshme të zgjedhjeve lokale 2025, me mundësi reale për balotazh trefazor midis VV, PSD dhe LDK. /Kosova.info/
