Osmani takohet me kryeministrin e Holandës, kërkon mbështetjen e tij për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Kopenhagë, është takuar me Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof.
Osmani njoftoi se biseda u fokusua në zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Holandës, si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Gjithashtu, kërkova mbështetjen e Holandës për finalizimin e procesit të heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë,” tha Osmani.
Ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimeve të Presidentes për të siguruar përkrahje nga shtetet anëtare të BE-së në avancimin e proceseve integruese të Kosovës. /Kosova.info/
