Sallahu: Digjitalizimi i profesioneve të lira, progres i reformës

Është mbajtur Forumi i Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike. Në këtë takim ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se ka pasur progres në Administratën Publike duke përmendur përparimin në fushën e digjitalizimit dhe të qasjes së qytetarëve në shërbimet publike përmes platformës e-Kosova.

“Gjatë këtij viti janë shtuar edhe 38 shërbime të reja, ndër të cilat edhe digjitalizimi i sistemit të profesioneve të lira”, tha Sallahu.

Tutje, ai tha se progres i arritur është edhe zbatimi i Strategjisë për Reformën e Administratës Publike, ku sipas tij, janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht 62% e masave të parashikuara për gjashtëmujorin e parë.

“Progres tjetër sipas u.d. ministrit, Sallahu është edhe harmonizimi i Planit Kombëtar të Zhvillimit 2025-2027 me objektivat e Integrimit Evropian”, thotë MD-ja.

Sallahu shtoi se reforma në administratë publike është e lidhur ngushtë me përpjekjet e Qeverisë për shtetin e së drejtës dhe për të siguruar ofrimin e drejtësisë dhe shërbimeve publike të besueshme e të barabarta për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP