Ministria e Bujqësisë nikoqire e Takimit të 19-të Vjetor të vendeve të Rajonit dhe Evropës Juglindore
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës do të jetë
nikoqire e Takimit të 19-të Vjetor me vendet e Rajonit dhe Evropës Juglindore (EJL), i cili do të
zhvillohet nesër, datë 01 tetor 2025, duke filluar nga ora 09:00, në hotel “Emerald” në
Prishtinë, shkruan Kosova.info.
Ngjarja organizohet nën patronatin e përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe
Zhvillimit Rural dhe Grupit të Përhershëm Punues për Zhvillimin Rural dhe Rajonal (SWG) në
Evropën Juglindore.
Adresimet zyrtare do të mbahen nga Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit
Rural, Faton Peci, Shefat e Delegacioneve nga Evropa Juglindore dhe Bashkimi Evropian,
në shoqërim të përfaqësuesve nga organizatat ndërkombëtare. Po ashtu, ngjarja do të ofrojë
mundësi për takime bilaterale. Miratimi i konkluzioneve të përbashkëta është paraparë të
bëhet po të njëjtën ditë, më 1 tetor 2025.
Progresi i MBPZhR-së në përafrimin e politikave bujqësore me Kornizën e Politikës së
Përbashkët Bujqësore të BE-së, në kuadër të zgjerimit dhe fazës së para-anëtarësimit, do të
jetë në qendër të takimit.
Agjenda e këtij viti fokusohet në zhvillimet drejt CAP-it dhe zbatimit
të IPARD-it, në kontekstin e integrimit evropian, si dhe në shqyrtimin e bashkëpunimit rajonal
në sektorin agro-ushqimor në kuadër të SWG-së. Gjithashtu, do të prezantohen dhe
diskutohen konkluzionet e Forumit të Politikave Bujqësore “Agjenda e Ohrit 2025”.
Ngjarja do të mbledhë delegacione nga i gjithë rajoni i Evropës Juglindore për diskutime në
nivel të lartë mbi të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të
bëjnë një vlerësim gjithëpërfshirës të bashkëpunimit rajonal ekzistues dhe të perspektivave
të ardhshme në këtë sektor.
